Çaste poetike me poeten;Hava Kurti KRASNIQI

Kujdes nga ofshama ime, kujdes o njerëz!

(shtëpisë së Burrelit, shtëpisë sonë)

———————————————-

Unë nuk kam përse të fshihem

më ngritën me duart e djersës

më dhanë ngjyrën e diellit

gazin e fëmijëve në verë

të atyre që i dhanë botës vlerë

E ju pse më shani o njerëz të panderë

as kulturën s`ma njihni

as s`më keni parë ndonjëherë

Unë nuk kam përse të fshihem

mijëra trillime për mua i ngjizët

por këtu djepat me ninulla u përkundën

u blua misri, u pjek në çdo vakt,

u pritën miq me bukë e krip e zemër

E ju pse më shani o njerëz të pavlerë

as pragun s`ma dini

as s`ma keni shkelë ndonjëherë

Unë nuk kam përse të fshihem

në mua rritet gruri ngjyrë ari,

lulet çelin edhe mbi shkrep

këtu barinjtë i lajnë sytë me vesë

e unë lutem që kështu të mbesë

E ju pse shani o njerëz të pabesë

as oxhakun s`ma njihni

as s`na nderuat ndonjëherë

Unë nuk kam përse të fshihem

lakmia u soll moteve rreth meje

zjarr lufte më solli vuajtje e plagë

muret e mia i bekoi zoti i madh

dera s`mu mbyll as shpirti bujarë

E ju pse më shani o njerëz të paderë

as historinë s`ma dini

as s`ma ditët ndonjëherë

Unë nuk kam përse të fshihem

fryen erë,bie shi jam nën kulmin tim

e zbrazur, e vjetër, jam shtëpia e t’gjithëve

edhe e atyre që rriten në mërgim

e çdo stinë më vinë në përqafim

E ju pse më shani o njerëz të pamend

as kufijtë s`mi njihni

as s`mi keni njohë ndonjëherë

Kujdes nga ofshama ime, kujdes o njerëz!

/www.QendraPress.com/