Çaste poetike me poeten:Hava Shabanaj
Pasha Grykën e Rugovës!
———————————–
Këtu
Dasmat bëhen nën Mbretërinë e Ngjyrave
Këtu
Ujërat janë rrëkeza të ardhura prej Parajse.
Këtu
Pishat e lisat të japin një pikëlim tjetër mes fytyrave.
Këtu
Vallet të bëjnë çika që vallëzojnë nëpër pragje.
Këtu
Dielli i agimit i merr leje livadhit bleror.
Hëna
Dëshmon hyjnisht për dashuritë më të bukura të botës
Në Grykë të Rugovës
Me tringëllima stanesh, me lule lidhni kurorë.
E
Ngrini dolli për të me çifteli në shiltet e odës.
Këtu
I lini lotët e qaramanëve diku nëpër tryeza!
Të heshtin
Tribunat e të mbeten pas krahëve pa droje!
Nëse
Doni Çmimin e Lumturisë që të jep bujarisht jeta
Ejani
E shpirtëzojeni fjalën me aromë Rugove!
Këtu
Nuk ka nevojë për reklama e cicëronë me buzëqeshje.
Që shfaqen
Në portale me fjalorët e gjuhëve të globit
Besomëni,
Vetë Gryka është Muzeu i Lavdisë së përjetshme!
Ku
Udhërrëfyes është vetë bekimi i Zotit.
Këu
Harrojini diplomat e llogaritë e fshehta bankare!
Ia merrni
leje qiellit të hidhni ëndrrat me krahë shqiponje!
Vini
Në kokë një plisbardhë që sfidon bardhësine e maleve!
E betohuni shqiptarisht:
“Pasha këtë Grykë Rugove!!”