Çaste poetike me poeten;Imer HYSA

FJALË TË PA THËNA

———————————-

Ca fjalë më kanë ngelur të pathëna

Mbyllur në burgun e zi të heshtjes,

Por kurrë su rebeluan aty brenda

Për lirinë që su dhashë gjatë jetës.

Fjalë dashurie që sja thashë dot

Mikes në moshën e adoleshencës,

Mbase ishin fjalët që priste më fort

Si rrjedhë ti ndryshonin fatin e jetës.

Fjalë që një shoku sja thashë

Dhe pse pas krahëve përgojonte,

Në shoqërinë e miqve e lashë

Për hirë të urtësisë njerëzore.

Fjalë që si thashë si nëpunës

Kur s’kisha të drejta, veç detyrime,

Si thashë se luhej kafshata e bukës

Mediokrit drejtonin kudo drejtorive.

Dhe mbeten të pa thëna ato fjalë

Ashtu siç ishin dikur, në mendime,

Burgosur zemrës si flutur në qelibar,

Mbyllur aty brenda pa rebelime.

Ngelen të pa thëna në harresë

Barrë e rëndë në kurriz tërë jetën,

Ngulur thellë si gozhdë në kujtesë

Ku varej fati apo rrjedha e jetës

-ripostim-

/www.QendraPress.com/