Çaste poetike me poeten:Landa MOLISHTI
MOS GABONI?!
——————————-
Ku po ikën rinia jonë, ku po ikën?!
Në heshtje, mbledhin rrobat në valixhe,
Në heshtje, pa thënë asnjë gjysmë fjalë.
Nënat i shohin, me dhimbje, lotojnë…
Me shpirtra të zhuritura, për djemtë dhe vajzat e tyre!?!!!
Kokë ulur, duart të lidhura,
Në një qoshe kasolleje “moderne”!
Ku po shkojnë vallë, ku po shkojnë?!
Në fund të botës dhe të ferrit?! …
Rrugëve të “parajsës” mashtruese,
Me një kafshatë buke në dorë.
Sa lot në faqet, do ju thahen,
Shpirtrat, do t’ju përvëlohen!…
Kjo botë e huaj helmuese,
Me punë skllavëruese,
Gjakun, do t’ua pijë!…
Zemërbardha njomëzake, jona rini!
Në vend të ikjes, tregoni guxim,
Dëshmoni rezistencë, devotshmëri!
Përmbysni mashtruesit, shfrytëzuesit!
Që po gajasen, po majmen në “opozitë”, me dinakëri…
Rrëzoni të keqen, çdo në qeveri!
Pa rini në atdhe, s’ka lulëzim.
Ju jeni shtylla kurrizore,
Jemi e ardhmja e atdheut,
Si pranvera në lulëzim,
Për popullin, jeni shpëtim!…
Mos gaboni, si brezi ynë,
Në ato vite trishtuese, ’90-ta.
Ishim pa vetëdije, keq të traumatizuar,
Ah! Vërtet, kemi gabuar:
E lamë atdheun, të shkretë,
Shumë kemi emigruar?!…
Ku shkoi gjaku i dëshmorëve?!
Ku shkuan amanetet, djersa dhe gjaku i të parëve tanë, ku shkuan?!
Pse ato brezni punuan, pse shpresuan?!
Oh, ju thërras nga zemra!
Mos ikni, ju lutem, mos ikni!…
Qëndroni dhe punoni,
në trojet e të parëve.
Ashtu, e rinoni atdheun,
Buzëqeshjet, ua ktheni,
nënave dhe baballarëve!…
Pa ju s’ka shpëtim, s’ka përparim,
S’ka, as do të ketë, Ribashkim.
Pa ju, gjithçka po na ikën prej dore…
Pa ju, o të uruar, nuk ka fitore.
(L. M)
27/9/2022