Çaste poetike me poeten:Manushaqe  Hoxha LAÇI

MËRGIMTARE JAM

—————————————–

Valixhja e mërgimit rëndë, sa rëndë më peshon,

Mbushur me dashurinë dhe amanetet e prindërve.

Loti i nënës si plumb në krah e zemër më rëndon,

Nga një copë dhimbjeje marrë me vete në çdo ikje.

Mora një grusht dhé nga toka e gurët e vendlindjes,

Me ujë burimesh mali freskova gushë, flokë e sy.

Shumë e rëndë qenka sfilitja e brenga e dhimbjes,

Kur vite kurbeti rëndojnë mallueshëm në supe e gji.

Fara lulesh dashurie nga e shtrenjta vendlindja mora,

T’i mbjell në oborr, dritare e ballkon të shtëpisë.

Të më përkëdhelen ëmbëlsisht balli, syri e dora,

Nga nuancat që sjellin magjinë e aromës së Shqipërisë!

Jam mërgimtare me dritat e ndezura të zemrës,

Nuk më pengojnë udhëkryqet, semaforët e rrugët e gjata.

Di të marr rrugët e vështira e të lodhshme të kurbetit,

E të rikthehem në vendlindje ku më pret zjarri te vatra!

/www.QendraPress.com/