Bluja e amshuar!

————————

Po vij!

Duke u hedhur

mbi shkrepat e orëve,

ditëve e muajve,

po vij!

Vij të të takoj në skaj të kohës,

atje ku, më pas, rrëzohesh në hiç!

Vij duke lëruar valët e shkumëzuara të detit

që fshehin rrënojat brenda tyre.

Vij sepse ëndërroj brigje me erë,

me dallgë kreshpëruese e cuname,

s’dua limane!

Po vij duke kalëruar dhe blunë e rreme të qiellit,

qëndisur rrejshëm nga re të bardha,

si fshikëza që brenda vetes

fshehin krimba mëndafshi.

Po vij

se i dua iluzionet e kaltra,

ëndrrat kalimtare që vdesin në agim!

Jam një flutur Maji

që dua të jetoj çastin tim!

Vij t’i them Po flluskës së sapunit

dhe brenda saj të qesh e të qaj

në këtë kohë të pakohë,

dhuratë të papritur,

dhuratë blu në amshim!

/QendraPress/