Çaste poetike me poeten;Merita GRUDA
Mos na e fik shpresën, Zot!
——————————————–
Me rrugën humbur në oborr
njeriu përbindshëm shqyen njeriun
në botën bjerrur shpirtrash,
kallur zjarresh, rreshkur thatësirash,
përbaltur përmbytjesh e trandur tërmetesh
Zot, na ruaj prej idhnimit tënd!
Kaq je penduar për çka krijove?
Bota mbahet në këmbë
sa ka mbi dhé njerëz të mirë,
na mësove,
ata i ruajnë të forta kolonat e saj
edhe pse e liga, bimë kacavjerrëse,
përdridhet në to.
A nuk ka qenë kështu ngaherë?
E keqja hedh rrënjë shpejt
mësohet kollaj
është rruga më e lehtë,
por gjithmonë çon në theqafje.
Na lër ta besojmë
sidoqoftë e vërteta!
Mos na e fik shpresën, Zot!
Rri me ne, se është kah erret!
/www.qendrapress.com/