Çaste poetike me poeten;Merita GRUDA

Çast

—————-

Në semafor pulson e kuqja

Si zemra e tij e lodhur vitesh

Në kahun tjetër një grua gjithë nur

Vështron sinjalin që fiket – ndizet

Me vete lutet të zgjasë ai çast

Kur sytë pushuan në bukuri

E prapë dhe aq, bekon të kuqen

Që ditën ia qëndis me dritë.

——————-

***

E mërkura zuri vendin në rendin e ditëve

me dëshirën e fshehtë

ta bënim të bukur

Modeste,

priti që ne ta vinim re,

por indiferentë ndaj thjeshtësisë

munguam në takimin me të

Zemërvrarë, e mërkura,

si Merkuri zjarr e akull,

fiku flakën e vet

dhe u përhim.

/www.QendraPress.com/