Çaste poetike me poeten:Mim MARJANAKU

Mam

—————

Ishte një ditë që s’peshoi

as sa një kilogram mollë

që i shtrydha pak më parë.

Mbylla sytë

dhe fjeta.

“Fjetsh të madhin”,

do kishte thënë njerka ime,

Por im at pati vetëm një grua.

Nënën time,

që më hodhi batanien e dale boje

e më përkëdheli

si atëherë

kur isha kërthi.

Aty u thye rekordi:

u këput shiriti i kuq i garës.

Drejtuesi ngriti lart

krahun e kampiones.

E vetmja sekondë

që dita u bë jetë

e kur fjeta

piva gji

dhe u rrita.

Sot nuk bëra asgjë më të mirë:

isha me nënën time,

nusen e përjetshme,

e re e bukur,

dhe unë—fetus i destinuar

në mitër

për t’u bërë vajzë-grua

e bukur.

M.M 10 dhjetor 2025

/QendraPress/