Kujtimet e arta

_______________________________

Eh, ma kishte ënda të ndizja një cigare.

Të humbisja mes shtëllungës së tymit nikotinë.

Se retë e moshës seç tregohen xanxare.

S’t’i fsheh ndryshimet kur vickla psherëtin.

Se këto huqet në trup përdridhen si gërnjare.

Vërdallosen në akrepin e ditës e duan kujdes.

Ah, moj rini, kur këndoje dikur si lozonjare

Unë vrapoja shtegut të jetës çdo mëngjes.

Natyrisht s’të harroj se as zemër nuk kisha

Sa herë të kam përfytyruar ditë e natë.

Si sonambule dramash, e tëra me ty dridhesha.

Edhe pse më vjen sot këtu si imagjinatë.

Vjen e ikën pa fjalë e heshtur në mallëngjim.

Dhe unë mbeta kureshtare në rrëfimin tënd.

Nostalgjinë e viteve më dhe si përqafim.

Në simetrinë e kohës kujtimet m’i sjell ndër mënd.

Ti flisje për rrugët që përshkoja dikur në qytet.

Për vatrën e shtëpisë oh, sa më ka tretur malli.

Kur llozi i derës më ka harruar gungat në siklet.

Edhe kur pengjet përflasin me brengë halli.

E këtë brengë dua ta stolis me kordele feste e gosti.

Të shtroj tryezën, të hap kanat më kanat në vatra

Në verandë të më mblidhen miq për dolli.

Të gumëzhijë vallja e gërneta derisa të agojë nata.

Të zbukuroj sofrën me gatimet myzeqarçe.

Gjel deti, turshi dhe byrekun me gjizë.

Të mbush gotat me raki dhe verë lushnjarçe.

Të servir fruta, bakllava dhe tavë bibë me oriz.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *