Çaste poetike me poeten;Mimoza Halili

0

Edhe për ju jam nënë

———————————-

Udhëtoja e qetë mes bulevardit të ditës.

Të veçuar gjeta dy fëmijë të vegjël.

Të heshtur, fytyrëvrarë si telat e sitës.

Skena e trishtë i katandiste si vegël.

M’u dhimbsën e afrohem duke i pyetur.

Dridheshin strukur nëpër të ftohtë.

Më vështruan befas të uritur e sytretur.

Kur loti pikonte nga gjoksi i ngrohtë.

Pëshpëritën se kishin mbetur jetimë.

Dhe flinin ku të mundnin, në rrugë.

U preka dhe shqetësimi s’kish durim.

Sikur më hodhën blozë duhani e vrugë.

Si shpuzë më dogji revolta si nënë.

Si shigjetë në shpoi dhimbja si njeri.

Ah, në çast doja t’u vija shtratin prej hëne.

Të flinin ngrohtë e qetë në jastëkun e ri.

T’i mbuloja me kuvertë qëndisur me yje.

Të qeshnin si lulet që çelin në maj.

Të marr diellin dhe një mal me pyje.

Të ndizja zjarrin e të ulen si xixëllonja pas saj.

U përpoqa e më ndaluan t’i adoptoj.

Por unë s’pyeta ligjin i vura në shpirt.

I strehova në folezën e mirësisë ku jetoj.

Gjersa të bëhen Zot të vetes një ditë.

I mblodha në kraharor me dashuri.

Njësoj pa dallim i dua si bijtë e mi.

Ata janë e ardhmja e bukur në dituri.

Kur më rrëfejnë ëndrrat me gëzim.

Rinohem me ta se aty gjej pranverë.

Edhe pse u rritën më thërrasin “nënë”!

Kur shtegtojnë si zogjtë e jetës në verë.

Akoma i pres të kthehen tek foleja mëmë.

Përgjërohem për fatin e tyre në çdo hap.

Me shpirt iu them se dhe për ta jam nënë.

Ndaj sa herë të vijnë si kalorësi në vrap.

Do i përqafoj si yjet që flatrojnë në hënë.

Mimoza Halili

( E botuar ne librin “Kodi i dashurisë”)

Bottom of Form

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *