Çaste poetike me poeten;Nasia XHEMALAJ

LOTON SHPIRTI ÇAM…

—————————————-

Kam ardhur fshehtas në shtëpinë stërgjyshore,

rrënuar muret, rënkojnë tërë plagë,

trarët e djegur nga një dorë mizore,

në këmbë çatinë- ehh, -dot se mbanë.

Në gjunjë u ula ,në vatrën e nxirë,

mbuluar me pluhur ,sjellë nga kohërat

me dorë e fshiva e psherëtiva me shpirt,

e mendova e mendova,

-kur zjarri ,në këtë vatër të shkretuar,

do ndizet

e gjella çame ,sërish do gatitet

sa oborrit jashtë ,

e gjithë shtëpia të moskovolis?!

Ngado oborrit që hodha sytë,

një tufë lulëkuqe kuqëlonin erës,

pranë portës një tufë manxuranë kish mbirë,

dhe nga palca e ullirit dikur të djegur,

ca filiza të reja krahët kishin shtrirë

ngarkuar me kokrra,ullinj pis të nxirë,

prisnin të zotët bashkë të merrnin frymë.

Këputa një filiz e vura në gji,

në oborrin e shtëpisë time e mbolla,

u rrit e u bë goxha ulli,

mbuluar i tëri me gjethe e kokrra.

Vjeshtës kur shiu pik -pik ,nis pikon,

nga ulliri vet shpirti çam zë e loton…

Shënim‐‐moskovolis -erë të mirë

/www.QendraPress.com/