Çaste poetike me poeten:Nezi Plaku VELAJ

Silueta e babait

——————————

Në ëndërr mu shfaqe, i pluhurosur ishe nëpër fluturim

Hipur mbi kalin me shalë kalëroje, ngjasoje si hije engjëlli,

Shkëlqimit të hënës ja rrëmbeve pelerinën e ngrinit,

Vrapoje si era mes reve, më shëmbëlleve me Kostandinin.

Në vend u shtanga, u mpiva, zemra pikoi gjak

Po si s’mu shkul kraharori, kur të pashë hipur mbi kalë

Sytë ç’mu mjegulluan, eh ç’mu tjetërsua pamja

U magjepsa! Të kthjellohem pak, me gishta e fërkova fytyrën.

Kush je të thashë, me zërin që dridhej

Nga tronditja, ..rrëqethja shkonte deri në ashtë

S’të mbaja mënd fytyrën, kur ti ike unë isha fare e vogël,

Nga sytë bojqiell, si vallë s’ta njoha portretin?!

Ti më thirre, siç më thirrje dikur, ndërsa flokun ta shpushpuriste era

kalëroje mbi kalin e harbuar, shtënoje kapsitën e argjend ,

Po si s’më njeh moj bijë, jam babai jot!?

“a ma dëgjon zërin?

Të erdha në ëndërr, të mbaj premtimin e dhënë.

Nisa të dihas, të qesh e të qaj me të madhe,

S’i vura fre zemrës, as ankthit që më shkuli kraharorin

U mundova t’i kapërdij me pahir ca pika lot zjarri, pikëllimi,

Seç më ngeli në gryk fjala dhe asgjë nga goja s’më doli.

Mes lotësh, e penguar u ngrita me vrapin e kalit,

të përqafova, të mora erë gushës, të putha fort sytë,

Mbi supin tënd mbështeta kokën e mbytur nga vaji

Aty i fshiva lotët që rridhnin çurk, si kristale krojesh.

Të kapa fort duart, ti shtrëngova, nuk doja të ti lëshoja

U ngazëlkeva deri ku s’mban më, kur ndjeva aromën tënde,

Si atë ditë që të rrëmbyen bishat, të ndanë nga krahari

Përmes gjëmës së vajit, magjia shpërndau pluhurin e terrorit.

Tu luta me lot në sy, me afshin e mallit që jetën më prishi,

Me dashurinë që ndjen një bijë për babanë, të shtrëngova në gji,

Tu përgjërova me drithërimën e zërit që prej zgavre nuk dilte

Të lutem o baba mos më ik! Mos më lër vetëm përsëri!

/www.QendraPress.com/