Çaste poetike me poeten:Rudina Muharremi BEJA
SHTËPIA E SHPIRTIT
——————————-
Lumë i lashtë që rrjedh ndër shekuj është ngrohtësia e gjuhës time
Tinguj ndërthurë në fije ari dalë nga zemra e poetit
Vrraga mbi shkëmbij që kujtimet mbajnë gjallë kohëve të pavdekshme.
Jehonë bëhet gjuha ime,
trishtimin, dhe varrit ia zbut,
lotin kthen sërish në nisje,
ajrin përflak,
atëherë kur këngët e dashurisë
shndërron në psalm
Ky përqafim i përjetshëm i fjalëve,
gurgullon përmallshëm, qark i sillet rruzullit
si vala e oqeanit që puth bregun
si melodia e ëmbël drithëron zemrën
Çdo rrokje ngjizur, lidhur si eshtra
brofur nga lashtësia,
rrjedh si lumenjtë në rrugët e argjendta
Fjalët rrënjët kanë të thella,
më të thella si lisat që degët ndërthurin
e shpalosin nëpër erë
dhe shkëlqimin, si ai i diellit
kur perëndon përqafimit të ngadaltë.
Çdo tingull, çdo varg i ndërthurur bën lulet të pëshpërijnë në kopshtet e qeta,
Irisët imagjinarë të hapen në ëndrra
Vesën, të puthë rrezen e argjendtë,
dhe hëna qiellin magjisë së heshtjeve.
Është streha ime gjuha ime.
Është shtëpia e shpirtit…
/www.QendraPress.com/