Çaste poetike me poeten;Rudina Muharremi BEJA

Ishte prill…

—————————

Ishte prill, nënë…

E mban mend kur në këmbim të sfilitjes së ditëve,

buzëqeshjen e parë të dhurova

e rrahjet e shpeshta të gurgullimës jetë

vrapuan me bukurinë e lotit

duarve të buta që aq shumë më kishin pritur

ndërsa zemra jote e tejmbushur,

si një mrekulli mbështjellë me fërgëllimë m’u bë strehë?

Deri atëherë, pranverat ëndrra endën,

çelën sythe të pafajshme

e unë,

si lundërtare shpirti

renda me to me rrezen e vagëlluar,

me erën e luleve që më mbarti,

përkëdhelur alkimisë së flladeve

horizonteve përherë e më të gjerë,

mbi shpinën e qytetit që dergjej pritjeve të përmallshme

për t’u rikthyer gjithmonë strehës tënde e për të të rigjetur …!

/www.QendraPress.com/