Çaste poetike me poeten;Rudina Muharremi BEJA
S’DUA GURË!
—————————
Sot, vendosa të pushoj
Asgjë, fare të mos lëviz.
Mbas një mijë sakrificash
Të bëj një t’vogël “servis”.
Qëndrova, me të miat mendime,
Shkëmbyem, të paqmë “dialog”
Nuk m’u desh, të ngrija zërin,
Nevojë s’pati për psikolog.
Fika çdo censor alarmi,
Llogaritës a projektor,
Ndenja sot vetëm me veten
Timen zemër “mora” në dorë.
Ajo ishte aq e lodhur
Po plakej dalëngadalë.
Shumë kohë kisha pa e prekur
Vetëm punë-shtëpi, pa fjalë.
Fëmijë, burrë, laj e gatuaj,
Vrapin pa e ndalur kurrë,
Llogari e plot skadenca…
Në vend të zemrës, një copë gurë.
Jo, nuk dua gurë të kem,
Aty ku zemra qëndron.
Me gjithë arnat që i qepa,
Atëherë kur gjak pikon.
E dua të jetë e butë,
Paçka, se mbetet e lënduar.
Të ndjej, dhe dhimbjen e huaj.
Jo të rri mënjanë vetmuar!
S’dua gurë në vend të zemrës!
Më mirë, një “e qepur” më tepër
Atëherë, e qetë do të ndihem,
Arnë mbi arnë, e fortë si hekur.
Kush lind i butë, i ngurtë s’ bëhet
Dhe i ngurti, s’ bëhet i butë.
Asgjë s’ më bën, më të lumtur
Se mirësia dhe fjala e urtë.
Le të më thonë, mendjelehtë,
Të më quajnë “pak e matur”,
Kur me kënd, të ndërroj dy fjalë,
Zemra, të qëndrojë, e hapur!
S’kam ç’të bëj, s’di të urrej,
As inat, nuk di të mbaj.
Gurë në vend të zemrës, s’dua…
Ndodh të qesh apo të qaj! /www.QendraPress.com