Çaste poetike me poeten;Rudina Muharremi Beja 

ATHUA ZOTIN E LAMË JASHTË

NË KËRKIM

————————–

Me majë të gishtërinjsh shkel mbi livadhin e ëndrrave

mbrujtur dëshirave të heshtura

udhëtimit mes krahëve të muzave,

pa busull,

vorbullës së fuqishme të ndjesive,

që nganjëherë më përhumb thellësive

shtjellave gri

e nganjëherë zbardhëllimit të vesuar të agimeve,

herë horizonteve në perëndime

e herë përtej vezullimave

territ të përflakur të yjeve

ku labirintet dhe meridianët e ngurtë

fshehin udhëkryqe,

vetvetes gjithmonë në kërkim!

SHENJTËRIA E NJË SHPIRTI

————————————–

Me majë gishtërinjsh prek akorde të panjohura

shfletoj shenjtërinë e një shpirti që s’mbërrij

të syve që më flasin përmes një vështrimi

fërgëllimave të një fryme që druajnë një stuhi

ku përherë të dëlirë,

flladitin të paqmë mendimet e mia…

O madhështi e një ëndrre që gjithnjë më përkund

mbi gjoksin që mbart një mal me dashuri

mbi këngën e valëve shndërruar në himn

magjisë së yjeve që fshehin një veri

ëmbëlsi që magjeps

në vjeshtë të jetës time, mos më braktis!

E VDEKSHME

————————

Pulëbardhat pushtonin qiejt pa kufi

e zhyteshin liqenit të kërkonin jetën,

u zhyt dhe ajo në shpirtin e saj

të zbulojë vetveten,

e u bë e vdekshme…

STREHA E MALLIT

———————————

Ti që s’u platite qoftë një grimëherë

më vjen si këngë malli prej viseve të lagëta

Ti që një buzëqeshje s’kurseve asnjëherë

brohorimë e mundimeve të patreguara.

Ti lumë i rrëmbyer i mendimeve të mia

rreze që kundron kaq thellë sytë e mi

flakadan ku digjet e gjithë madhështia

shkëlqim i parrokshëm që ngroh timen vetmi.

Ti strehë e mendimeve të mia guximtare

shëmbëllesë që frymon me frymë perëndie

farfurimë e qiejve të angësht vetmitarë

mishërim i ndezur i një vetëdije.

Qëndro me mua sa të mundesh nëna ime

mbërthyer zinxhirëve të hajthëm vegimeve

lidhur hallkave të padukshme prej malli

shkundur dremitjes së shpirtit që vetëdigjet

fajkua e ringritur kurmit për së ngjalli…

DHIMBJE E PËRSHPIRTSHME

Bie shi mbi varrin tënd At’

mbi germat që vetë t’i shkrova

dhe mbi lulet që nëna paska mbjellë

e mbi ato, që vetë t’i solla…

Rrëshkasin bulëzat mbi portretin tënd

e mua dy lot më zbresin trishtimit

vizatojnë shënjtërinë e shpirtit që më dhemb

teksa mëngjesi zbeh udhët e rënkimit.

Ndonjëherë më mungon aq shumë

balli, fytyra që flet me hieroglife…

sytë që më flasin përmes një vështrimi

malli i beftë, një dhimbje e përshpirtshme.

HARRESË

——————-

I mbyllëm portat e blinduara të shtëpive,

të bindur se s’kishte as dhe një harresë

e ato ngjanin,

gjithnjë e më tepër me arkën e Noes

Ç’agoni pikëlluse…!

Pallatet mbollën themele me rrënjë frike,

trazuar, kohëve të verbëra

e mbi to

mbinë mure të larta prej guri e egoje.

Ndërsa mokrra e mendimit,

bluan psherëtima pa prajtë

çapitet, e kaherë pyet:

A thua Zotin e lamë jashtë?!

PRANVERA

—————–

Lisa të moçëm

rrëzohen para meje,

teksa erashka shelgjesh

përtokë krahët mbajnë

kurora shumëngjyrëshe

mbijnë mbi grumbuj dheu

grafikë të frikshëm

farkëton çdo tymnajë

Sa njerëz vdiqën pa guxuar!

Kurse pranvera,

ah, pranvera hapin s’di ta ndalë…

shkel mbi të bukurit agime,

shkel dhe mbi netët plis

diku, çel një lule,

diku çel një syth

e me gjergjefë shprese

të nesërmet qëndis!