Çaste poetike me poeten:Seveme FETIQI 

KAPITUJT E JETËS
—————————————
kapitulli i parë

(kur u linda, linda me një shenjë në ballë)
plagët i lidha dhe i shërova vetë,
e shenja e ballit nuk mu zhduk kurrë
vetëm sa m’u rrit më shumë (1961)

kapitulli i dytë

më mbetën dy duart e zbraztë
e një fëmijëri pa prehër (1973)

kapitulli i tretë

mësova se njeriut
fryma i zihet
kafshata i mbetet në fyt
fjala i mbetet pa thënë
pa liri
e ai vdes i buzëqeshur
për të (1981)

kapitulli i katërt

ndarjet janë më tragjike
se vdekjet
rrugëve të përhimëta
më nuk u ngjalla
jetova vetëm në ëndrrat
e kthimit (1992)

kapitulli i pestë

më burrëri është
ta falësh gjakun
se ta luash lakun
edhe kur në zemër
dhembja nuk pushon (2000)

kapitulli i gjashtë

e mbajta
në palcë të netëve të vetmuara
peshën e viteve te harxhuara kot
ia fala prap zhgënjimit ( 2007)

kapitulli i shtatë

e ktheva
fytyrën kah Dielli
që të ngrohen fëmijët e mi
me Rrezet e Tij ( 1984, 1996, 2000)

kapitulli i tetë

vdekja do t´më shpëtojë nga vdekjet
në të vërtetë e di se s´do të vijë me errësirën
më mësoi se ka vlerë të jetohet
(jeta është e ëmbël edhe me vdekjet e njëpasnjëshme) (jeta…)