Çaste poetike me poeten:Shqipe BYTYQI

NDAMJA

————————

Njerëzit as e marrin vesh

si ndahen s‘gjalli

aq e lëmueshme di me qenë ndamja

si fillimi vdekjes

që s‘pari zverdh hundë e gojë

e rrëshqet trupit si gjarpën i ftohtë

Në fakt, vdekja fillon para lindjes

qeliza që kryejne detyrën e tyne

e më pas vdesin

algoritme që me plan

ndizen e fiken

Ndamja asht si vdekja

lundron atij lumi t’vdekjes

me dy monedha mbi sy

për ma t‘mbramen pagesë

Njerëzit as e marrin vesh

si ndahen s‘gjalli

si miqësi e dashuri

rastisin, bijnë në agoni

paçka lidhur për direk anije

edhe genin tand

dijnë ta mposhtin Circet

Njerëzit

as e marrin vesh…

/www.QendraPress.com/