Çaste poetike me poeten:Shukrije GASHI
NGUJUAR N’VETMI
———————————–
(9 nëntor 2015)
Ç’ kur ike e me vete more Diellin
akullnajat le pas
mërdhiva ngujuar n’vetmi
Asteroid Apofin t’pres me ëndje
gjithë shekullin e pikëllimit tim
një Diademë shkëlqimi verbues
pres nga drita e syve tu pa jetë
zhgënjimit nuk i duhet më shumë
Tokën e vrau me nge NJERIU
më shumë se Blasfemi
Planeta GLIESE 581
është largë192 trilion kilometra
më afër se nesër
Ah ngujuar n’lëkurën NJERI
kam frikë nga t’panjohurat e tij
një tjetër Hurricane Katrina…
(October 2, 2016)
Me gjasë erdhi vjeshta
Drurit të Jetës në kuzhinën time
lehtas në heshtje po i bien gjethet
një ndarje pa lamtumirë
shpërndarë mbi tepihe përrreth
saksise çdo ditë
një shushuritje e lehtë pikëllimi
më zgjoi nga gjumi edhe sot
me pak rrëqethje ceremoniale
i mblodha të gjitha gjethet
sërish i vura mbi dheun e saksisë
një rit bekimi për rilindje
në pranverën tjetër
Ia behu vjeshta me përplasje
krahësh zogjsh shtegtarë
që me nguti tundojnë qiellin
me ca pasthirrma të rralla gati ofshama
një karvan vjeshte në kërkim
drejt viseve të ngrohta i grishë çdo perëndim
Dielli
Epo gjithkund erë vjeshte kundërmon jeta
një gjumë i rënduar mbi qepalla dënojnë
të shkundet nga ajri i ftohtë në mëngjes
a thua sa njerëz dhe gjallesa të tjera
bashkë me gjethet i merr vjeshta
në Vallen e Vdekjes që nuk e luan
ma askush si te Legjenda e Urës së Rozafatit
sa shume fëmi vriten çdo sekondë në Siri
e paqja me pëllumbin e saj zgërdhihet
me vetveten një profeci karremi në ankand publik
askush i pa fëmijët e sakatosur atje
as nesër as kurrë
Një gjethe vjeshte iku jeta…