Çaste poetike me poeten;Teuta BIÇAKU
Sikur kukullat të kishin zë
———————————–
Në rrugë.
Në vitrina.
Në lokale dite e nate.
Në diskoteka.
Në zyra.
Ato, kukullat.
Të hajthshme.
Të tonifikuara.
Me trup, fytyrë,
veshje a gjysmëveshje
të dyllosura, të ngrira.
Flasin me gjuhën e trupit.
Kërkojnë një jetë që nuk e kanë
edhe kur dëgjohet
një thyerje e pangjitshme “krrak”…
Plandosen përdhe
cifla fytyrash,
gjymtyrësh të porcelanosura.
Sikur…
Ah sikur të kishin zë
e të këlthitnin:
-Nuk duam të jemi kukulla!
Por ato nuk kanë zë.
Nuk kanë.
Dhe të kishin
ne nuk dëgjojmë.
Jetojmë në kohë kakofonie turmash.
Sikur të kishin zë,
por nuk kanë.
Ndaj vetëshkatërrohen vitrinash.
E ne varrosim përditë
manekinë industrish.
E pakuptuar ëndërrojmë
jetë kukullash.
/www.QendraPress.com/