Çaste poetike me poeten;Teuta BIÇAKU
Vibracione kohe
———————————–
Kohë e dendur…
Çasti nuk pret çastin të vijë.
Shpeshtohet frymëmarrja për të kapur momentin.
Dendur e më dendur çastet.
Dendur e më dendur fjalët, buzëqeshja.
Dendur e më dendur lotët, përflakja.
Nuk pret dora dorën, syri syrin, veshi veshin,
aroma aromën, hapi hapin, shkëlqimi shkëlqimin të ndrijë…
Ska kuptim një pikë ndalese, aq më pak një vijë.
Kohë e rrallë…
Një çast troket e tjetri s’duket të vijë.
Në mes pritje…
pritje e dendur,
sa harrojmë frymëmarrjen
i ndalojmë rrahjet zemrës,
zbrazëti…
Presim ta thyejmë heshtjen.
Nuk duket fjala.
Nuk ka peshë buzëqeshja,
mbetet pezull.
Lotin diku mes faqesh e ngrijmë.
Hap i ënjtur nga pritja.
Sy i turbullt nga shikim i ngrirë.
Vesh i mpirë në pritje të tingullit të radhës…
Ka fillim gjithçka.
Fundi nuk duket të vijë.
Pezulli, pezulli…
E ndërkohë jeta krijon vibrimet e veta,
valë-valë në rrathë që pikënisin në çdo veprim,
ndërpriten, interferojnë apo shuhen,
për të justifikuar turbulencat, pauzat.
Për t’i dhënë gjithçkaje kuptim.
/www.QendraPress.com/