Çaste poetike me poeten:Valbona Bozgo MUSAI
Vjeshtat kanë emrin gjyshe
—————————————
Vjeshtat kanë emrin gjyshe
që, si imja
zbriste nga fshati i largët Tunjë
e pakët si curril uji
me qiell teshash të zeza
lëngim i përjetshëm për humbjen e njërës bijë
mbushur torbën dhe xhepat e futës
me diej ftonjsh dhe yje palafikësh.
Largohej sërish çapqetë
në fshatin ku punët s’mbaronin kurrë
lënë pas një musht komete
deri kur ra përjetësisht në gjumë.
/qendrapress.com/