Çaste poetike me poeten;Vjollca ALIU
Erëza e shpirtit tim
(Dedikuar mbesës sime, Erëza Reka)
———————————————
Kur linde ti, mbesa e shpirtit tim
Me mua festuan edhe yjet në qiell
Linde në tetor, në stinën e vjeshtës
Por sytë e tu rrezonin si diell.
E qetë, pa zhurmë u rrite
Si foshnje qaje butë, si melodi e bukur
Të përkëdhelnim lehtë e të ruanim
Si një flutur mbi lulen e pakëputur.
Dita jote e parë në kopshtin e fëmijëve
Për ne në festë u shndërrua
Ndër engjëjt e kopshtit shndrisje
Me faqet si mollë e aromën si ftua.
Çdo hap të rritës sate
E kam shijuar me shumë dashuri
Edhe kur tashmë je e rritur
Të ledhatoj si kur ishe e vockël, fëmijë.
Me gjithë hapërimet jo të lehta në jetë
U bëre e fortë në çdo stuhi
Pamja jote e brishtë, e shpirti yt i fortë
Të bëjnë yll në synimet që ke ti.
Buzëqeshja jote, dashuria që ti ma jep
Më gjallëron e jetën ma shton
Të kam ty, botë e jetë
Ndaj asgjë s’më mungon.
/www.QendraPress.com/