Çaste poetike me poeten:Zaide NOKA

Fjala

———————

Pa të

Do t’isha memece

E mbetur në heshtje

E zhytur në zbrazëti…

Pa të

S’mund të shpreh kurrsesi

Romancën e dashurisë…

Pa të

S’mund të përshkruaj

Bukurinë e pyllit

Apo trishtimin e dashurisë së humbur

Të sa e sa gjetheve në vjeshtë…

Pa fjalën

S’kam si të shpreh

Bukurinë trupore të pemës

Që thith dashurinë e fshehtë

Në thellësi të tokës

Dhe sjell

Të hirshmin frut…

Pa të

S’mund t’i jap frymë

Dashurisë sime

Brenda mallit,lojës,trishtimit….

Pa të

S’kam si të shpreh

Pamjen engjëllore

Të foshnjës me lëkurë të butë

Të qarat dhe të qeshurat

Brenda një kohe rekord ..

Si mund te shpreh pa fjalën

Trandjet e shpirtit

Në harmoninë e notave muzikore?

Në fundin e mbramë

Si mund te shpreh trazimin tim?

Thërrimet e mendimeve

Të derdhura aty-këtu

I mbledh me kujdes

Të ushqej fjalët

Që të mos mbeten

Në gjysmë të vargut…

zn. 2005