Çaste poetike me poetin;- Engjëll I. BERISHA

INTIMJA NË RRUGËN E VETMISË
———————————————-
U zhvesh intimja në heshtje blu të dritës
vetvetja merr udhë vetminë
trupi e shpirti lidhen me valë digjitalë
mund ti gjesh diku në planetin mars
sapo e hapëm teknologjinë
kjo portë e mençur s’pyet për shpirt
s’pyet as për leje
dashuria shkëlqen me ftohtësi metali
romanca u përpi një natë kur hana vonojë të dalë
dikush e ngatërroi Venusin të ndizet si herëve tjera
intimen e lanë zbuluar me drita të kallura
u zhvesh në errësirë në skenën e dritës
vetvetja nuk po mbulohet as me lëkurën e vetë
nuk po e di gjuhën të kthehet në sy
ta shohë njeriun përtej ekranit
t’ia gjej kësaj skene fytyrën!!!
Fjala?
Prodhohet falas në laboratorin inteligjent
me klonimin e viruseve të panjohur
nuk i duhet më as fryma e ditës
e gjen në buzët e një kujtese
dashuri e jetuar në syrin e dikujt
as intimja, as vetvetja nuk jetojnë më këtu
e morën frymën e fundit të njerëzores
në valixhe pa emër në stacionin e një ndjenje
pa u shënuar në radarin e navigimit.
/QendraPress/