Çaste poetike me poetin; Fatmir MUSAI
QENI I STANIT
—————————-
Unë jam Baloja kokëmadh
Që çdo ujk e kam bërë zap,
Bagëtinë brenda në vathë
Ty ta ruaj, o satrap*!
O satrap, bari me gunë,
Që një kockë më hedh jashtë stanit,
Dhjamë qeni nxjerr nga unë,
Më mban gjallë në mes të hallit!
Dekorata më ke dhënë
Edhe titullin “Kapedan”,
Po ti prap më quan qen
E një kockë gjej në sahan!
Aty prapë unë qenërisht
Me një Laro kacafytem,
Ai gjithë ditën rri në bisht,
Unë sërish pa gjë uritem!
Se nuk ha më dot një Balo
Që të do besnikërisht,
Kur i ngjit ti pas një Laro,
E të leh veç qenërisht!
… E vendosa: Do të lë
E në pyll do shkoj, në fis,
Bashkë me ujqit në kope
Bagëtinë do ta ujdis*!
*satrap- sundimtar i egër me pushtet të pakufizuar
*ujdis- rregulloj, ndreq një padrejtësi
/www.QendraPress.com/