Çaste poetike me poetin;- Hatip HULAJ

PREMTIMI
—————————
U nisa nga larg me shpirtin në ankth,
me mall në krahëror si një plagë e ngrohtë,
me një tufë lulesh në duar që dridhen,
nga udhë të huaja, me mendje që ikën.
Në çdo hap të rrugës të pata me vete,
si hije në dritë, si zë në përkrenare beteje.
Nuk të lashë kurrë nga mendja të shkosh,
as nga gjaku im… që s’pushon të vlojë.
Ti ishe fryma dhe hapi im i parë,
zëri që më thërriste ditë e natë,
ti, më e shtrenjta e jetës sime,
Kosovë e plagosur, e bukur, sublime!
Sot që jam këtu – përpara tokës tënde,
ta përsëris premtimin me zë që s’u ndërron kurrë:
As largësia,
as koha,
as dhimbja që rend –
nuk më ndajnë dot…
nga ti, atdhe i shenjtë!
/QendraPress/