Çaste poetike me poetin; Hekuran HALILI
Ç’T’I BËJ SHPIRTIT
—————————-
Para shume vitesh kanatjeren me ndonjë vrimë,
ma mbulonte këmisha fanellatë,
këmishën e tretur bërë kartë,
ma mbulonte bluza e leshtë,
bluzën e lodhur nga koha,
xhaketa e kadiftë, mëngëgjatë,
çorapet e çngjyrosura nga larja,
i mbulonin këpucët me pluhur e baltë,
po shpirtin e ofenduar, shpirtin e vrarë,
me se ta mbuloja,
kur çdo mëngjes duhma ere sillte Qafë Bota,
si ofshamë njerëzish në torturë,
me se t’a qetësoja,
kur kopetë e reve të zeza,
që vendlindja ime niste Nartës e Saraqinit,
duhishëm qanin fushës së Vrinës,
me shi kokërrmadh sa ullinjtë e Lopsit?!…
Unë qaja bashkë me shiun,
mes vetëtimave e bubullimave,
për fatin tonë, të viseve nuse,
por edhe kjo stinë shirash,
shpirtin, as ma fshihte, as ma shëronte…
Pas stinës së shirave të shpirtit,
vinin stinët e sigurimsave komunist,
që grupet “armiqësore” me ne bënë,
shpirtëzinjtë, që lozën me jetët tona,
“armiq” na thanë, se deshëm vendin tonë,
karierë bënë me dhimbjen e dinjitetin tonë,
me jetët e fëmijëve, rënkimin e nënave,
si zervistat gjueti bënë me burrat e Çamërisë,
deri në mbijetesë e shpunë shpirtin çam,
mbetur damkë turpi në fytyrë të kohrave…
Kështu mëngjeseve, ditëve, viteve,
deri sa një ditë erdhi “përmbysja komunizmit”,
e unë rreshtuar tek ëndërrimtarët,
shpresova pa e fshehur shpirtin tim,
në shërimin e plagëve të kombit…
Koha rrodhi në shtratin e saj,
në trungjet e ullinjve shekullor të vendit tim,
të vetmit që falangat zerviste dot s’i dëbuan,
njëzet e pes rrathë të tjerë u shtuan,
por,
nga Qafa e Botës vinë të njëjtat duhma ere,
me rënkime njerëzish në torturë,
tufat e reve maleve të Nartës e Saraqinit,
të zeza janë e shi vajtues derdhin,
unë ende bashkë me to,
brënda shpirtit ngre stuhitë e lotit,
në vatrat e shtëpive tona,
ende nuk janë ndezur,
zjarret e zemrave të nënave,
çatitë e shtëpive varur rrinë,
si fati ynë gur në rrokullimë,
ullinjtë lëkurëplasur nga marazi,
nxihen e nxihen sa trembin natën,
varret stërgjyshore, kodikët e kujtesës,
ende nën ferra e driza rënkojnë,
ende në ato vise të bekuara,
kullosin rrufetë e padrejtësive,
atje gjithçka,
guri i plagosur,
muri i pushkatuar,
çatia e djegur,
shpirtrat e pafajshëm,
ajri e drita, dihatja e dheut,
presin një falje,
të rehatohen
dhe bashkë me ta dhe shpirti im…
Kanatjeren, këmishën, bluzën, xhaketën,
çorepet , këpucët, tani i kam firmato,
por shpirti ende ai ka mbetur,
se koha e njerëzit më zhgënjyen…
Ç’t’i bëj shpirtit çam…?!
/www.QendraPress.com/