Çaste poetike me poetin;-Kastriot FETAHU

ËNDRRA POETI TË HARRUAR
—————————————
Nuk jam një i marrë,
si ai endacaku i ndezur i qytetit,
pse kam ca ëndrra bredharake
me lumin e paemër,
dhe një kanarinë të bardhë.
Ato më çlirojnë…
djegin magjepsjen e pasionit të çastit,
ashtu si pishtari i një zjarri
djeg dëshirën e një tufe ujqërish në dëborë.
Në fundin e tyre
një poezi shkruar në një fletë të kaltër,
lulet e limonit në ngjyrë të purpurt
nuk ngjajnë me ato të portokallit,
ndërsa një princeshë e vogël
i dhuron zambakë të kuq Jezusit.
Historia ime nuk njihet më shumë
se ajo e fundit të oqeanit
dhe e arrave të kokosit që prehen të vetmuara në xhungël.
Do të më arkivoni një poet të humbur,
nuk do të ma kujtoni dot fytyrën;
edhe pse vargu im do të mbetet
si kurorë dhëmbësh porcelani,
në buzët tuaja.
Ndoshta mbrëmjeve do të këndoni për mua,
si Whitmann për Linkolnin,
“Oh, kapiten, kapiteni im…”
/QendraPress/