Çaste poetike me poetin; Kujtim HAJDARI
ME BIJË PLOT E PA BIJË NGELE
———————————————-
Tek bijtë u nis botës pa fund,
Kur mbylli shtëpinë zemra pikoi,
Mbi supe i ra qielli plumb,
Dhimbja e rëndë si shkëmb peshoi.
Bijtë në lule të rinisë,
Në krahë ëndrrash fluturuan,
turravrap pas pasurisë,
nëpër botë, larg, ku i çuan.
Sa i priti t’i kishte pranë,
Por vitet shtuan vetëm mall,
dhe pse dëshirë të madhe kanë,
e lanë vetëm babanë në hall.
Larg nga vendi e njerëzit tanë,
as mall e brengë s’arrijnë të shuajnë,
çfarë ëndrronin e çfarë u dhanë,
yzmeqarë botës të vuajnë.
Ëndrrat grisur nga mërgimi,
era e kohës i bëri zhele,
mëmëdhe të mbyt trishtimi,
me bijë plot e pa bijë ngele.
Tani udhën po marrin shpesh,
drejt fëmijëve kjo moshë e thyer,
syri të qan, buza s’të qesh,
kohët bastarde sa t’kanë fyer!
/www.QendraPress.com/