Çaste poetike me poetin; -Lola SHEHI

REBELJA

——————————-

Eja më merr pa më lajmëruar se po vjen

Mos e digj kot atë pyetjen “a mundem sonte të vi”

Me gjyrat e ylberit në dritare eja shfaqmu

Dhe unë para teje të ndjehem perëndi.

Të lazdrohem si kotele, të bëj naze sikur s’dua

Se gjoja s’kam kohë për ty e paskam një mal me punë

Më digj me zjarrin tënd, flakë bëma mëndjen

Ylberet m’i zbrit mbi gjoksin që ngrihet furtunë.

Se mos guxon të më thuash “a mundesh të më japësh një puthje”

Lypsarët e puthjes i urrej! As në gjunjë mos m’u përgjëro!

Jam kështjellë e gurtë, ndërtuar nga ustallarë të zotë

Nëse di të pushtosh kala, eja më pushto!

Se mos guxon dhe shfaqesh para meje i dobët e dorëlëshuar

Dhe si djalosh i bindur plotëson të gjitha tekat e mia

Mos bjer në kurth! Tundimin mbaje larg!

Kjo rebelja nuk jam unë… është dashuria.

/QendraPress/