Çaste poetike me poetin;-Mehdi KRASNIQI

LUFTËTARIT TË SHKELUR

(në vend të dedikimit)

———————————–

Përditë flasim për luftën

e betejat

dhe heshtim

e qajmë te guri i flamurit

aty ku heronjtë pushojnë lavdishëm!

Të ikurit edhe më

lulojnë xhamadanët

me grada

dhe shtynë bërrylash

Heronjtë e mbetur gjallë

Përditë flasim për gjymtyrët e lëna fronteve

plagët gjithkah trupit që ende s’u mbyllen

as s’derdhi kush pikë loti për to

s’bëri kush zë

as shkruajti një fjalë të vetme

përveç të ikurve

teksa folën zëshëm në ceremoni solemne

kur morën Dekorata Trimërie

pa asnjë duartrokitje ushtarësh

nën qindra e mijëra duartrokitje shokësh

Rrallë shumë rrallë flasim për lirinë

luftarët e mbetur pa kulm mbi kokë,

pa bukë

pa një dysheme sa për ta shtrirë trupin

sa për t’i pushuar dhimbjet

dhe pritur njerëz për kryeshëndosh

Ata pak të ikur

zënë hije,

zënë kroje

flladisin shpirtin

në pallate milionëshe

dhe mbajnë lirinë nën krye

Ty luftëtari im

fatkeqësisht

pa gradë nderi

pa dekoratë

të lanë pa oborr

pa shtëpi

pa flamur

pa atdhe

Ti duhet të bësh edhe një tjetër luftë

ose të kërkosh një tjetër atdhe

sa për të vdekur si vdes njeriu

e ta kesh një varr shenjë kujtimi…

/www.QendraPress.com/