Çaste poetike me poetin;-Milazim KRASNIQI

INTERVISTA E PABOTUAR ME LEKA ZOGUN
——————————————————————
Po pinim cigare pa pauzë
unë një, ai tri.
Mezi po e shihnim njëri tjetrin
nga tymi,
në një sallon në Cyrih-Sheraton
ku po bëja një intervistë me të
për mundësitë e kthimit të tij
në fron.
Ndonëse ishte edhe mbreti im
sipas Statutit Themeltar,
ai nuk sillej me mua si mbret,
më ofronte cigare nga pakoja e tij
kur të miat m’u harxhuan
ndërsa, si rregull
mbretërit nuk ofrojnë asgjë.
Për Shqipërinë foli gjatë
po kjo më ngeli më mendje:
munda ta ktheja fronin
pas referendumit,
por vetëm me gjakderdhje
ndonëse fitova vërtet,
nuk desha gjakderdhje
sepse froni është vetëm një kolltuk
nga druri dhe mëndafshi,
nëse bëhet eshtrat
dhe nga lëkurat e njerëzve
ai nuk është fron
është ferr.
Në ato çaste Leka ishte vërtet mbret,
ndonëse pa fron e pa atdhe,
por me dinjitet.
Shqipëria nuk e pati fat,
Nuk e meritoi atë mbret.
/QendraPress.com/