Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

Vjeshta

———————-

Vjeshta po ikën, si lule e vyshkur,

Ngjyrat veniten nën qiellin gri,

Era i shkund, me frymë të ftohtë,

Gjethet që bien mbi mallin tim.

S’di pse më lindin këto vargje stisur,

Që bien si breshër mbi tapet trishtimi,

Në shpirt më zgjohet muzë e humbur,

Që puth në heshtje hijen e kujtimit.

S’dua të flas për diellin idhnuar,

As për zhurmën e asfaltit plot gjurmë,

Ekranet flasin me drama të huaja,

Ndërsa në mua, plagët s’kanë gjumë.

Dikur i shuajtëm, sot, i ndjej sërish,

Kur vjeshta më ledhaton me frymë të trishtë,

E gjethet që bien si valë në lumë,

Më sjellin mall, për ngjyrat që s’janë më kurrë.

/QendraPress/