Çaste poetike me poetin:-Nexhbedin BASHA

RINGJALLJA…
———————-
Një letër e bardhë… në të ç’të shkruaj?
Janë Pashkët – dhe pse jam mysliman, i dua.
Në heshtje ndiej një dritë që më flet,
si fara nën dhe që kërkon pranverë.
Vezët e ngjyera më flasin me mall,
si zemra të vogla që çelin zambak;
dhe vargu më bëhet i kthjellët, i artë,
si shpresa që ngrihet në detin me valë.
Kur vjen kjo ditë, edhe hëna ndriçon,
dhe zemra s’e njeh lotin që pikon.
si degët që çelin pas dimrit të gjatë,
kur jeta rikthehet me frymë të artë.
Një zë i lashtë, nga kryqi në dritë,
si guri i rëndë që hapet në agim,
si rrufe që çan natën e kohëve në errësirë,
kur drita fiton mbi çdo errësim
Si agimi që lind nga nata e gjatë,
duke sjellë jetën mbi çdo mëkat.
Si një qiri që digjet pak e nga pak,
duke ndezur dritë në shpirtin qelibar.
Si kambana që zgjojnë heshtjen e tokës,
dhe shpallin dritën mbi dhimbjen e botës,
si kambana që bien në shpirt pa zë,
dhe zgjojnë njeriun të rilindë e bardhë.
Në gjenezë kemi rrënjë të përbashkëta,
në shpirt një dritë që s’ndahet kurrë;
Bajrami e Pashkët; si dy rrugë drejt qiellit,
si dy lumenj që derdhen në një det pa fund.
/QendraPress/