Çaste poetike me poetin;-Niku RAMOLLARI

DIMRAT E MI
————————-
Dimrat e mi nuk kanë qenë stinë,
kanë qenë gjendje brenda meje,
mjegulla që në kraharor më rrinë
e shpirtin ma mbulojnë me vello reje.
Zgjohesha me një boshllëk të ftohtë,
si një dhomë pa zjarr, e ftohtë kallkan.
Veç rrahja e zemrës ishte e fortë,
se shpirtin të ngrohtë ajo ma mban.
Dimrat e mi kanë pasur net të gjata,
ku mendimet binin si borë pa pushuar,
mbulonin edhe shpresën e vetme që pata,
sa mezi e dalloja, si të isha i qorruar.
Në mes të akullit kam buzëqeshur,
por brenda meje diçka më kërciste,
si degë e thatë nën të bardhën ngjeshur,
kërcitje që dukej se me veten fliste.
Ka pasur ditë kur heshtja më bëhej zë,
më thoshte: “Jam vetëm, jam pa njeri”,
edhe kur s’isha, nuk heshtja dot më.
I thoja: “Jemi dy, jam unë, je edhe ti”.
Në fund, kur i ftohti shpirtin ma priste,
kam ndjerë një rrahje të vogël, kokëfortë,
që hahej me veten e s’pranonte të vdiste,
si zjarr i fshehur nën akullin e ftohtë.
Sepse dimrat e mi, sado të ashpër,
s’arritën të ma shuajnë shpirtin e etur;
veç ma mësuan, pa zjarr në vatër,
sa thellë di të digjem, qoftë dhe i heshtur.
/QendraPress/