Çaste poetike me poetin;-Petrit PALUSHI

STANI I VETIMAVE

——————————-

Te nji bjeshkë e Gjallicës ish nji stan.

Aty afër do pishave t’nalta.

Te stani, qysh kur mshelej Pranvera e deri

 n’midis t’Vjeshtës rrinin nana me djalin e vet.

Nji ditë nisi nji shi me plot vetima.

Prej shiut, dita sikur u sos e u ba natë.

Drita e vetimave lëshohej vrik e vrik prej qielle,

por s’po ia hiqte ditës terrimin.

Ajo dritë vetimash si me dashtë me e shkulë edhe

 vetë qiellën e me e ngjitë për toke.

Nanë e djalë ishin n’stan.

Nana i thotë djalit:

– Ti rri n’stan,

se po dal përjashta me i ndalë vetimat.

Nana duel para stani.

Zu vend përmidis deleve.

Ngriti duert rrëmisht përpjetë kah qiella e foli:

– O zotnat e qiellës,

 na rueni krejtve prej vetimave!

Erdhën do zogj e zunë vend ngjitmas me delet.

Edhe nja dy kaprolle.

Edhe nja shtatë dhi t’egra.

Edhe do egërtina.

Shiu vazhdonte me ra paprajshëm,

 e vetimat shtoheshin e shtoheshin.

Nana me djalin as u prekën prej tyne.

As delet.

As kaprollet.

As dhitë e egra.

As egërtinat.

Prej asaj dite, vetimat nuk qitnin ma te stani.

As në krejt midisnajën atypari.

Megjithat’, stanit i mbeti emni Stani i Vetimave.

/QendraPress/