Çaste poetike me poetin:-Rifat ISMAILI

Çaste poetike me poetin:-Rifat ISMAILI
E KUQJA E JETËS
—————————-
I kuq si një semafor
që të detyron të ndalesh.
Ashtu është edhe jeta jonë:
kudo semaforë të kuq
që të ndalojnë gjithçka,
madje edhe të marrësh frymë,
që të bllokojnë mendimet,
të mos mendosh,
të mos ëndërrosh.
I kuq si vendimi
i një arbitri të korruptuar,
në fushën e futbollit,
që pavarësisht përpjekjeve të tua,
anullon çdo sakrificë,
duke të bërë të humbësh.
I kuq si gjaku yt
në ezofagun e një mushkonje,
që rrotullohet rreth botës
me gjakun tënd si karburant.
I kuq flakërues si zjarri,
që mat plagët e tua,
shton dhimbjet e tua,
zhgënjimet e tua,
dhe ti bëhesh gjithnjë e më i vogël,
duke u zvogëluar.
I kuq si një perëndim dielli
që djeg horizontin,
ndërsa ëndrrat shuhen
dhe rilindin në heshtje
/QendraPress/