Çaste poetike me poetin;-Sabit RRUSTEMI

NUK I DUA JANARËT

——————————

Prej Trojës së Lashtë

e në Kosovën e sotshme që po e jetoj

qindra herë më kanë kallë janarët

deri në hi

Pa një mal zogjsh më kanë lënë

pa bimën e sapo mbirë

dhe zjarret që shkrinin akuj

m’i kthyen në gjëmë

Mallin e shtresuar nëpër shekuj

për shpirtrat me një mal ëndrrash

që m’shkuan

as oqeanet s’e shkulën

– ka lëshuar rrënjë

Nuk i dua janarët

jo pse më mërdhijnë deri në palcë

po dhimbjen ma trazojnë

kah është e kah s’është

ato t’therura të nëndheshme zemre

që qiejtë i zjarrmojnë

E si t’i dua kur deri në asht më prekën

e s’u dhash’

… po u rilinda e u përlinda

rrënjëve të hershme

prapë

(23 kallnor 2019 – 23 janar 2026)

/QendraPress/