Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

DRYNI I KULLËS
—————————-
Sytë në kulmin e kullës
një trekendësh ngulë në re,
vrapojnë retë shtëllunga,
shtëllungë kujtimet
largohen, afrohen
e derdhin shi me flatra
zogjësh.
Atyre po ju lutem,
mos e kanë parë gjë
drynin e kullës
a nëse e ruajnë atje në qiell
të ja japin një zogu
e ta bien tek unë
bashkë me shiun e terun.
Dua të hyj në kullën e vjetër,
gjyshi harroj ta linte,
askujt vendin e çelësit
nuk ja tha,
ndoshta retë e ruajnë
Babaj,
e lypi, e lypi atë çelës
e kurr nuk e gjeti,
e na rriti femijë
pa çelësin e kullës në qafë.
Tani,
edhe unë po e lypi,
në rrënojat e kullës
a mbi ndonjë tra të arrës në ahër,
atje ku gjyshi e baba
kuvenduan me themelet
e muret e kullës
nën hijen e dritës së pishës.
Po iki edhe unë,
lypësi i drynit të kullës,
e fëmijve e nipave të mi
po ju lë edhe pak ditë pa çelës shtëpie.
E në fund
që të jem i sinqertë me ju
e fjalën time të diellit,
unë edhe babaj nuk lypëm kurr çelës,
sepse në derën e kullës, gjyshi jone i mirë
nuk kishte venë brave as dry.
Kulla ishte zemër hapë
zemra ishte kullë hapë
për nder e miqësi.
/QendraPress/