Çaste poetike me poetin;-Selami TARAKU

Empati – Zjarr që ndez shpirtin

———————————–

Në mëngjes, kur dielli ngrihet mbi male,

E ndjej botën që qan, dhe shpirtrat me halle.

Fjalët fluturojnë, si zogjtë mbi bjeshkë e livadhe,

 E unë përpiqem t’i kap, t’i kuptoj

 brengat e njerëzve me të gjitha hallet.

Një pjatë me llokuma, një petël

për mëngjesin e vonuar,

Gjeste të thjeshta që ngrohin

shpirtin e përvuajtur në heshtje.

Një byrek me kos,

aromë e kujtimeve të hershme,

Vetëm një copë, një buzëqeshje —

 në çdo kafshim, në çdo shpresë,

 në çdo kujtesë

Barnat shërojnë trupin

empatia shpirtin,

Çdo buzëqeshje,

çdo fjalë e thjeshtë ndizet si

flakë në qiell, në heshtje.

Kur dikush qan, unë

ndiej dhimbjen e tij,

Kur dikush gëzohet,

 gëzimin e tij e shpërndaj si

dielli rrezet mbi bjeshkë e livadhe.

Empatia ime është si urë mbi

shpirtërat e përvuajtur,

 Që lidh botën,

ndan dhimbjen dhe zgjon

shpresën e humbur.

Në çdo veprim,

 në çdo fjalë të thënë,

Fshihet mrekullia që na

bën hisetarë në lumturinë e njerëzve.

Kur zemra ndjen dhe sytë shohin,

Si zjarr brenda meje,

shpirtërat i përqafoj.

Dhimbjet ndahen,

 gëzimet rriten,

Dhe bota e ngrysur mbushet

përplot me dritë që rrezaton e shndrit.

 Empatia ime s’është vetëm një ndjesi,

Por është fuqi, art dhe shpirt i madh

 për t’i kuptuar e dashur njerëzit.

Si flakë që s’fiket, ajo ndez çdo zemër,

Dhe ma bën jetën më të ngrohtë,

më të dashur,

më të thellë dhe më të përhershme.

/QendraPress/