Çaste poetike me poetin:Çerkin BYTYÇI
SI UDHËTOJNË ËNDËRRAT?
————————————-
Ëndrrat kur marrin rrugë
nuk zgjedhin si dhe kah udhëtojnë,
ndonjëherë hipur në qerre kuajsh
por, edhe si shtegtarë larg fluturojnë.
Ngjiten lartësive të katërta qiellore
dhe kujtimeve u ngarendin pas,
i mbledhin të gjitha si kristale
me to mbushin disa qindra thasë.
Bashkohen edhe me të tjerat në lojë
e i gjejnë guralecët diku të harruar,
madje edhe dhitë e gomarin i kullotin
e shkojnë Te Hijet për të pushuar.
E gjejnë edhe lapsin në vendlindje
fletoren e librin në strajcën e shkollës,
ëndrrat shkruajnë e lexojnë me mall
ulur nën degët e plakura të Mushmollës.
Ëndrrat edhe sofrën e shtrojnë si dikur
e bashkë, n‘kalanicë fasulen e hanë,
i pikturojnë shtëpitë e zemrave të bardha
me margaritarët n’kujtimet që i kanë.
Ëndrrat, kur bënë vapë në verë
te Çeshmja e Xhafës freskohen prore,
Gjyshin e kthejnë në dimrat e fëmijërisë
te loja me akull nga streha e topa bore.
Ëndrrat ecin e ecin dhe s‘ndalen
rrugë e tyre është e pafund,
pak sa ëndrrat janë kryeneçe
dhe pa mua nuk shkojnë askund.
/www.QendraPress.com/