Çaste poetike me poetin;Imer HYSA

ATA

—————–

Ata që duhet të kuptojnë më shumë

Ata që u dhuron më shumë dritë shprese

Pikërisht ata si arrë të shkundin me gurë

Duke menduar se të vunë nën vete.

Atyre që me dritën tënde të shpirtit

Mund tu ndriçosh rrugën në jetë

Pikërisht ata të shuajnë kandilin

Duke menduar se kështu vegjetojnë vetë.

Ata që lexojnë veç me gërma kapitale

Mbi letra të shkruara me plagjiaturë

Pikërisht ata të bëjnë gjëmën e madhe

Të shtrijnë për të mos u ngritur kurrë.

Ata që u “ndritën” nën hije plepash

Apo “shkëlqyen” në universitete Kristale

Pikërisht ata me të tyre këthetra

Mbushen e fluturojnë në parajsa fiskale.

Ata që duhet, por smunden, janë shumë

Ata qëndrojnë të fjetur në heshtje,

Të mbijetuar mes dallgëve me shkumë

Këput e mos këput si gjethe vjeshte.

/www.QendraPress.com/