Çaste poetike me poetin;Kujtim HAJDARI
KUR TI JE LARG
—————————-
Errësira tërheq këmbët zvarrë, me përtesë,
skutat e thella të qytetit ende përgjumen,
rrahja e hapave të mia e zgjon këtë mëngjes,
dhe i ndjek hijet e natës që të përhumben.
Para meje, si një yll i ndezur, që bie,
e më pas lë një fasho drite në galaktikë,
vijnë kujtimet për ty e zhdukin çdo hije,
dhe pse dielli s’ka dalë, qyteti ynë ndrit.
Më vijnë dhe këngët plot tinguj këtë mëngjes,
që mbushën me fllad e aromë vitet tona,
buqeta kujtimesh, të freskëta, me vesë,
që sot, nga malli, m’i sjell ëmbël jehona.
Dhe dita qesh e më duket se ka vënë krahë,
me qiejt gazmorë, të paanë kërkon të matet,
kur zemra të kujton e si e çmendur fillon të rrah,
kur, magjepsur, pas kujtimesh vrapon të kapet.
Kur ti je larg ndodhin çudira pa emër,
ditët mbledhin lule t’i nisin bashkë me këngën,
tsuname e tërmete tundin shpirt e zemër,
netët rrinë zgjuar e flasin me yjet e hënën.
/www.QendraPress.com/