Çaste poetike me poetin;Kujtim HAJDARI

PRINDËRIT NË MËRGIM

————————————

Pranvera tokën bënte nuse,

Qiellin vishte si një dhëndër.

Ishin gjallë apo ishin vdekur,

Apo humbur në një ëndërr?

Trupi i mpirë si një kokallë,

As nuk shikon e as nuk ndjen,

Ca pika djerse u vijnë në ballë,

Dhe malli i madh që po i bren.

Në majë kodre lanë shtëpinë,

Dhe kujtimet ku fle një jetë,

Atje kishin gjithë ngrohtësinë,

Këtu rrallëkush i përshëndet.

Këtu u duket gjithshka e huaj,

I afrohen me mall mbesës,

Dhe ajo kërkon me ‘ta të luaj,

E bukur si pika e vesës.

Sa shumë fjalë kërkon t’u thotë,

Cicërin si zogjtë në pyll,

Sa mundohen e s’e kuptojnë dot,

Sa dhimbja zemrën ua ndrydh.

Afrohet nusja si muranë,

Një fjalë shqip s’e mësoi dot,

Tërheq vajzën që zë e qan,

Dhe ikën zhduket ashtu e ftohtë.

Aromë lulesh e ngjyra plot,

E mëngjeset me fllad, që dehin,

Por ata fshijnë nga një pikë lot,

Njeri-tjetrit kërkojnë t’ja fshehin.

/www.QendraPress.com/