Çaste poetike me poetin;Leonard PIPA
Në Epir
———————
Në fshatrat e zbrazura, ujqërve nuk u duhet të flenë më në guvat e tyre të errëta.
Nga një shtëpi e braktisur
u mjafton
të bëjnë edhe dasmat me shkuesi!
Plakat nuk e dinë më rrugën për Dodonë,
Bisedojnë me macet e tyre të murme,
Ulur në trungje të kalbur përrallash.
Ndërsa pleqtë presin korrierin që vjen nga “eladha”,
t’u bjeri “pensionet” e futur nëpër zarfa të zinj.
Në Epirin e ngelur pa zot,
Banori më i preferuar është
një prift që dikur ka pasur emër mysliman,
E që mbledh eshtrat e braktisura të fshatarëve tanë,
Ti rivarrosi në Këlcyrë,
në varr me uniformë ushtarake!
Në Epir,
në Epirin tim,
Mbretëron një heshtje e zhurmshme,
Që pret nga çasti në çast
unë të ngre gishtin lart.
Të lumturohet
Kur ti shaj shqip!
Të quhet edhe kjo një fitore si e Pirros!
Në qytetet e Epirit tim,
Pulat hanë misër, grurë…
Ndërsa burrat bar.
Në Epir,
Shqiponjat ende nuk i kanë braktisur foletë,
Lisat janë rralluar
Por rrënjët e tyre
frymën i marrin nëntokës.
Kur dielli perëndon
Ariu del pi kafe në pazar
Veshur me kostum allafrënga,
Dhelpra mbi gomar bën pazarin e natës në “shtëpinë e Zotit”!
Kam ngelur
Me sytë nga Zeusi!
Do zoti ma rras me një shpullë!
/www.QendraPress.com/