Çaste poetike me poetin;Llesh GJOKA
PRITJE
——————–
Tash, ti pret diçka tjetër
pas kujtimeve që dhembin shumë
një perde që ndan një kohë
me një pasthirmë të ndjerë mes brinjësh:
Oh, tani shkoi!
Në nanuritje qepallash
që nuk duan të mbyllen
Një fashë drite blu
në dritaren e dhomës
plagë që po lidhen, zemra i la hapur
hematoma, ënjtje në mish.
Oh, tani shkoi!
Dhe ti pret diçka tjetër
diçka të ndritshme, të neontë
të ndriçojë enigmat e hidhura
të një dashurie që la pas hirin
kur gjithçka ishte asgjë, një hiq.
Jetës nihiliste
që nisi në një pranverë me lule
dhe mbaroi në një vjeshtë me shi.
Se po, tani shkoi!
Ti pret me ëndrrën e djegur
zhurit që la koha piromane
duke marrë si shpërblim
copëra trofesh të thyera
në përpjekjen e fundit për t’i bashkuar
ashtu hapërdarë ditëve.
Por jo, tani shkoi!
Ti pret, ti pret…
diçka tjetër që do të vijë një ditë
me dizajnin e bukur tê lindjes së diellit
zogun lajmëtar të ëndrrës
të dashurisë që diku jeton…
Ah, po, do të dashuroj!…
/www.QendraPress.com/