Çaste poetike me poetin:Luan RAMA
Melina…
————-
Erdha Melina
njëzet vjet rrugë mu deshën
të vija tek ti në zemër të Athinës,
një kafe piva në lagjen «Plaka»,
«Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,
rrugën mora nga Akropoli për tek ti
atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë,
merre këtë cigare Mërkuri,
çohu dhe ndize si njëherë
ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»
kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,
çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirios Andonit”
që i lumtur ishte veç në ëndërr,
Melina, gjaku im i shprishur,
i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin
dhe diellin që bie e shuhet në të,
gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu
dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu,
Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,
se të puthurën tënde ende e kam në faqe
dhe përqafimi yt krahët mi ngroh,
ah, duart dhe gishtërinjtë e tua
që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë
dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,
shko tani Melina, u bë vonë,
shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase
Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé,
shko ashtu përhumbur në tymin e cigares
se agimi po afron dhe bota do të zgjohet,
ndryshe do duhet të të mbart mbi vete,
të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë
ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë:
një i gjallë me një të vdekur shkon…