Çaste poetike me poetin:Lumo KOLLESHI

BOSHESI

——————————–

Pas një dite të gëzuar qëllon të ndihesh dhe bosh,

Si shishet e verës pa tapë në grykë.

Ca shokë të harruar ende kërkojnë prej teje lëmoshë,

Paçka se zemrën e hodhën me plehrat në kosh

Dhe prapë të vjen keq për shpirtrat e tyre të hirtë.

Boshësi të tillë qëllon ta shohësh te një lule a trëndafil,

Që bletët ia morën aromën,ia shtrydhën nektarin,

Por ti s’e vret mendjen ç’bën brenda një pistil,

Fryn ëndrrat e veta në prill;

S’ke kohë të mendosh për të ligun,zagarin.

Një boshësi binjake e ka dhe poeti,

Që librin sapo ka lënë diku për botim.

Në qetësinë e kamur dallgën e fjetur përkund deti

Dhe bregu gjumash pulëbardhat i pyeti:

Nga boshësia lindi gjithë ky gjëmim?

/www.QendrePress.com/